Qeveria e Kosovës ka miratuar projektligjin për rialokimin e 102 milionë eurove nga buxheti i shtetit. Këto mjete financiare synojnë mbulimin e detyrimeve kryesore, duke përfshirë pagën e 13-të për punonjësit e sektorit publik dhe pagesat retroaktive për shtesën e përvojës së punës.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, bëri të ditur se pjesa më e madhe e fondeve do të alokohet në kontingjencën e pagave. Sipas tij, ndarja e mjeteve për shtesën prej 0.5 për qind për përvojën e punës bëhet në zbatim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Kjo masë mbulon diferencën e krijuar nga hyrja në fuqi e Ligjit për Paga në vitin 2022 deri në fund të vitit 2025. Ndryshimi në përllogaritjen e kësaj shtese, i cili parashihte 0.25 për qind për 15 vitet e para të përvojës dhe 0.5 për qind pas kësaj periudhe, ishte shpallur antikushtetues.
Në kuadër të këtij rialokimi, janë parashikuar edhe 20 milionë euro shtesë për pensionet bazike. Ministri Murati sqaroi se ky fond është i nevojshëm për të përballuar koston e rritjes së natyrshme të numrit të pensionistëve në vend. Kjo është viti i dytë radhazi që Qeveria ndan mjete për pagën e 13-të të punonjësve që paguhen nga buxheti i shtetit.