Hekuran Murati, ministër i Financave, ka sqaruar pas mbledhjes së qeverisë më 12 shkurt 2026 se paga e 13-të u takon punëtorëve të sektorit publik që kanë marrë 12 paga gjatë vitit.
Ai theksoi se kjo pagesë parashihet vetëm për ata që kanë punuar së paku 12 muaj dhe marrin pagë nga buxheti i shtetit. Punonjësit e rinj, që kanë filluar rishtazi dhe nuk e kanë plotësuar këtë kusht, do ta përfitojnë pagën e 13-të vitin e ardhshëm.
Kryeministri Albin Kurti deklaroi gjatë mbledhjes se paga e 13-të do të përfshihet në buxhetin për vitin 2026 dhe do të ekzekutohet sapo buxheti të hyjë në fuqi pas miratimit në Kuvend.
Sa i përket pensionistëve, Murati shpjegoi se Ministria e Financave dhe Transfereve ka bërë ndryshimet ligjore pas vendimit të Gjykatës Supreme. Ky vendim shfuqizoi një nen të udhëzimit administrativ që kërkonte paraqitjen çdo 6 muaj të pensionistëve kontributivë, pasi kjo nuk ishte paraparë në ligj.
Paraqitja e pensionistëve bazik mbetet e detyrueshme sipas ligjit. Ministria ka dhënë sqarimet e nevojshme dhe ka ndërmarrë masat për zbatim të saktë të vendimeve ligjore.