Prej dy muajsh, Kuvendi i Shqipërisë zvarrit procedurat për shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për autorizimin e arrestimit të zv.kryeministres Belinda Balluku. Kjo e fundit është marrë e pandehur dhe po hetohet për veprën penale të shkeljes së barazisë në tendera në disa procedura me vlerë qindra-milionë euro.
Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu, deklaroi se sjellja e Kuvendit tregon një standard europian dhe nuk cënon reformën në drejtësi. Ai foli të martën gjatë një konference për shtyp, i shoqëruar nga ministrja e Shtetit për Integrimin, Majlinda Dhuka, dhe ministrja e Shtetit për Antikorrupsionin, Adea Pirdeni. Ata diskutuan hapat e qeverisë për përafrimin e legjislacionit në kuadër të negociatave me Bashkimin Europian.
Sipas Gogut, Kuvendi do të presë zgjidhjen e konfliktit gjyqësor mes Kryeministrit dhe Gjykatës së Posaçme para se të shprehet për kërkesën e SPAK-ut. Ai iu referua çështjes për një masë tjetër ndaj Ballukut, e cila shqyrtohet më 22 janar në Gjykatën Kushtetuese.
"Që në momentin kur kryeministri i një force politike vë re se ka një mësymje të një pushteti tjetër në kompetencat e pushtetit që ai drejton dhe i drejtohet gjykatës, nuk anatemon dhe nuk shantazhon në mënyrë vulgare personale familjare prokurorin e strukturës, por drejtohet tek arbitri shtetëror që është gjykata. Unë këtë e quaj europianizim dhe konsolidim të reformës në drejtësi, sepse do të flasin institucionet", tha Gogu në përgjigje ndaj një pyetjeje të BIRN-it.
Ai shtoi: "Kur institucionet respektojnë afatet e njëri-tjetrit, pavarësinë e njëri-tjetrit dhe kur ‘ndeshjen’ proceduriale para gjykatave e bëjnë pikërisht për të bërë këtë gjë, ky është europianizim dhe institucionalizim dhe nuk e cënon fare reformën në drejtësi, përkundrazi i shton një element tjetër sigurie."
SPAK dorëzoi në Kuvend kërkesën për zbatimin e një mase të re ndalimi ndaj Ballukut, bashkë me një dosje voluminoze.