Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka kërkuar arrestimin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku për dyshimin e kryerjes së veprës penale të shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike.
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, deklaroi se Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin nuk do të mblidhet derisa Gjykata Kushtetuese të japë vendimin e saj. Ai theksoi se Kuvendi është palë në procedurën në Gjykatën Kushtetuese dhe nuk mund të marrë qëndrim pa vendimin e këtij institucioni. “Po rikujtoj një diskutim që kemi bërë në Këshillin e Mandateve që kam 100% të drejtë. Sa kohë Kuvendi është palë në Gjykatën Kushtetuese në këtë çështje, duhet të presë vendimin e GJK. Në vlerësimin tim ky është qëndrimi”, u shpreh Balla.
Sipas SPAK-ut, Balluku është nën hetim për tenderin e ndërtimit të tunelit të Llogarasë dhe lotin 4 të Unazës së Madhe, si dhe për shtatë procedura të tjera prokurimi:
• “Plotësimi, rakordimi dhe vazhdimi i punimeve Sheshi Shqiponja-Lumi i Tiranës, Loti 1 dhe QMT”;
• “Ndërtimi i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri, Loti 2”;
• “Ndërtim i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri-Shkozë, ura mbi lumin Tiranë”;
• “Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4”;
• “Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 5”;
• “Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 6”;
• “Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 7”.
Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ka shtyrë mbledhjen e Këshillit të Mandateve me justifikimin se vendimi për autorizimin e SPAK-ut varet nga Gjykata Kushtetuese. Përfaqësuesit e opozitës akuzojnë Peleshin se po i ofron mbrojtje politike Ballukut, duke shkelur Rregulloren e Kuvendit.
Përditësime
Gjykata Kushtetuese mbylli sot mbledhjen pa vendim për pezullimin e Taulant Ballukut – mbledhja e dytë pa vendim. Gjyqtarët arsyetuan mungesë kohe të mjaftueshme dhe ranë dakord të japin vendim në ditën e shqyrtimit, duke shtyrë çështjen për afat të pacaktuar. Një javë më parë kërkuan kohë shtesë. SPAK dyshon se Balluku mund të prishë prova ose të intimidojë dëshmitarë nëse mbetet në detyrë. Çështja lidhet me tenderin e Llogarasë (190 milionë euro). GJKKO e pezulloi Ballukun, por Edi Rama e apeloi në GJK si shkelje kompetence, duke e rikthyer përkohësisht në detyrë.