Disa organizata të shoqërisë civile i dërguan të martën një kërkesë publike kryetarit të Kuvendit Niko Peleshi dhe deputetëve anëtarë të Këshillit për Mandatet, Rregulloren dhe Imunitetin. Ata kërkojnë shqyrtimin pa vonesa apo ndërhyrje politike të kërkesës së Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për arrestimin e zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku.
Mbledhja e menjëhershme e Këshillit konsiderohet nga organizatat si respektim i plotë i parimit se "askush nuk është mbi ligjin". Kjo garanton funksionimin normal, transparent dhe të paanshëm të procedurave parlamentare. Apeli vjen pas paralajmërimit të kryeministrit Edi Rama se Kuvendi do ta fusë në "kalendat greke" çështjen e imunitetit të Balluku.
Organizatat nënshkruese janë:
- Drejtësi Sociale
- Qëndresa Qytetare
- Komiteti Shqiptar i Helsinkit
- SCiDEV
- Tek Bunkeri
- Qendra Hana
- Qyteti Im
Ato theksojnë se apeli bazohet në rolin e tyre për mbrojtjen e rendit kushtetues dhe interesit publik, sipas Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit. Kushtetuta dhe Rregullorja parashikojnë procedura dhe afate të qarta, jo hapësirë për debate politike mbi çështje penale.
Organizatat shprehin shqetësim për rrezikimin e procedurave kushtetuese, duke i kthyer ato në objekt zvarritjeje, relativizimi ose instrumentalizimi politik. "Çdo vonesë e pajustifikuar procedurale, çdo devijim nga procedura e përcaktuar në Kushtetutë dhe në Rregulloren e Kuvendit, si dhe çdo instrumentalizim politik i një kërkese penale, rrezikon të cenojë parimin e barazisë para ligjit, detyrimin kushtetues për garantimin e shtetit të së drejtës dhe besimin e publikut në funksionimin e institucioneve demokratike", thuhet në letrën publike.
Mazhoranca socialiste ka mbajtur të bllokuar shqyrtimin e kërkesës së SPAK-ut që prej dhjetorit. Justifikimet përfshijnë kohën për njohjen e anëtarëve të Këshillit me dosjen voluminoze dhe pritjen e vendimeve të tjera.