Drejtori i Agjencisë për Realizimin e të Drejtave të Komuniteteve, Dalibor Kitanoviq, është vënë në qendër të kritikave pas shpërndarjes së një përmbajtjeje që glorifikon figura çetnike dhe ish-komandantin e ushtrisë serbe të Bosnjës, Ratko Mlladiq. Ky i fundit është dënuar me burgim të përjetshëm nga gjykatat ndërkombëtare për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.
Aktivistja për të drejtat e njeriut, Mersiha Smailoviq, ka reaguar ashpër, duke vënë në dyshim përshtatshmërinë e Kitanoviqit për të drejtuar një institucion që ka për detyrë mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të komuniteteve, përfshirë shqiptarët, boshnjakët dhe të tjerët. Sipas saj, ky veprim minon besimin ndëretnik dhe krijon ndjesi pasigurie te punonjësit e institucionit. Edhe partia BDI ka dënuar rastin, duke kërkuar llogaridhënie nga partia VLEN për pjesëmarrjen e saj në qeverisje.
Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka reaguar zyrtarisht duke u distancuar nga postimi i Kitanoviqit. Në deklaratën e saj, ekzekutivi thekson se qëndrimet shtetërore mbështeten në vendimet e gjykatave ndërkombëtare për gjenocidin e kryer nga Mlladiq. Institucioni vlerëson se veprimi i drejtorit është personal dhe i papranueshëm, duke njoftuar se do t'i kërkohet atij tërheqja e publikimit. Qeveria thekson se, nëse Kitanoviq nuk pajtohet me politikat zyrtare, pritet që ai të tërhiqet nga funksioni që ushtron.