Gjatë një mbledhjeje elektronike, Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ka miratuar dy vendime të rëndësishme që lidhen me menaxhimin e financave dhe administrimin e pasurisë.
Së pari, është miratuar Raporti i Konsoliduar Vjetor për Funksionimin e Sistemit të Kontrollit të Brendshëm të Financave Publike në subjektet e sektorit publik për vitin 2025. Ky dokument vlerëson gjendjen e kontrollit financiar në institucionet publike.
Së dyti, ekzekutivi ka autorizuar Ministrinë e Financave që të ndërmarrë veprimet e nevojshme për hapjen e një llogarie të dedikuar në kuadër të Llogarisë së Vetme të Thesarit (LlVTH), e cila do të mbajë emërtimin "Fondi i Konfiskimit".
Sipas vendimit të Qeverisë, kjo llogari është krijuar me qëllim që të pranojë dhe evidentojë ekskluzivisht të hyrat që rrjedhin nga konfiskimi i pasurive, të cilat janë konfirmuar me vendime gjyqësore të formës së prerë. Ky hap synon të sigurojë një administrim më të organizuar dhe më transparent të mjeteve financiare që burojnë nga proceset e konfiskimit.