Gjatë një mbledhjeje elektronike të mbajtur së fundmi, Qeveria në detyrë e Kosovës ka miratuar 24 pika të rendit të ditës. Pjesa më e madhe e këtyre vendimeve lidhen me emërimin e komisioneve të pranimit për kategori të larta drejtuese në disa institucione shtetërore. Ndër institucionet e prekura përfshihen Thesari i Kosovës, Agjencia Qendrore e Prokurimit, Agjencia për Siguri Kibernetike, Agjencia për Ndihmë Juridike Falas, si dhe Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar.
Organizatat e shoqërisë civile e kanë kundërshtuar këtë nismë, duke e cilësuar si shkelje të legjislacionit në fuqi. Liridon Salihi nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) u shpreh se këto vendime bien ndesh me Kushtetutën e Kosovës, duke iu referuar nenit 72 dhe një aktvendimi të Gjykatës Supreme, të cilat ndalojnë mbajtjen e dyfishtë të posteve si deputet dhe ministër. Salihi shtoi se personat e dëmtuar nga këto vendime kanë të drejtë t'i drejtohen organeve të drejtësisë.
Edhe Instituti i Kosovës për Drejtësi vlerëson se vendimet janë marrë pa autoritet ligjor, duke ngritur shqetësimin se ky veprim synon ndikimin në përzgjedhjen e drejtuesve të institucioneve kyçe që menaxhojnë financat, sigurinë dhe drejtësinë. Sipas tyre, këto masa mund të krijojnë një kontroll të padrejtë institucional për një periudhë afatgjatë. Deri në këto momente, Zyra e Kryeministrit nuk ka kthyer përgjigje lidhur me statusin e ministrave dhe faktin nëse ata kanë dhënë dorëheqje përpara betimit si deputetë, pyetje kjo e parashtruar që nga e premtja e kaluar.