Paketa fiskale për vitin 2027 propozon rritjen e tatimit mbi dividendin nga 8% në 15% dhe ndryshimin e përkufizimit ligjor të dividendit. Sipas projektligjit, shumat që kompanitë u japin ortakëve ose aksionarëve si hua, paradhënie apo forma të tjera financimi do të trajtohen si shpërndarje fitimi nëse nuk përfaqësojnë transaksione financiare reale ose shlyerje detyrimesh ekzistuese, por, sipas përmbajtjes së tyre ekonomike, janë shpërndarje të tërthorta të fitimit. Ndryshimet janë ende propozime dhe norma e re do të zbatohet nëse projektligji miratohet.
Projektligji parashikon shtimin e shkronjës “e” në nenin 3, pika 19, të ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat”. Përkufizimi aktual i dividendit përfshin të ardhurat nga aksionet dhe kuotat, shpërndarjen e fitimeve, si dhe rastet kur fitimet e pashpërndara, pasi kapitalizohen, u kalohen ortakëve përmes zvogëlimit të kapitalit. Me ndryshimin e propozuar, në këtë përkufizim do të përfshihen edhe shumat e dhëna si hua, paradhënie ose financime të tjera, kur ato nuk janë transaksione reale apo shlyerje detyrimesh, por përbëjnë shpërndarje të tërthortë fitimi.
Relacioni i projektligjit thotë se ndryshimi synon të kufizojë shmangien e tatimit dhe të sigurojë trajtim të njëjtë, pavarësisht formës juridike të transaksionit. Sipas Ministrisë së Financave, rritja e normës do ta njësonte tatimin mbi dividendin me tatimin mbi të ardhurat e tjera nga investimet, të cilat aktualisht tatohen me 15%.
Relacioni argumenton se norma prej 8% mund të krijojë mundësi për arbitrazh tatimor: ortakët ose drejtuesit mund të deklarojnë paga më të ulëta dhe të marrin një pjesë më të madhe të të ardhurave si dividend. Një tjetër synim i paraqitur është nxitja e riinvestimit. Sipas relacionit, rritja e tatimit do të dekurajonte tërheqjen e fitimeve për konsum dhe do të nxiste mbajtjen e tyre në kompani për zgjerimin e veprimtarisë, modernizimin teknologjik dhe hapjen e vendeve të reja të punës.
Norma e tatimit mbi dividendin u ul nga 15% në 8% në janar të vitit 2019. Ulja u argumentua me lehtësimin e barrës fiskale mbi fitimet e shpërndara dhe nxitjen e bizneseve që të shpërndanin dividendët e akumuluar, të cilët mbaheshin në kompani edhe për shkak të nivelit të lartë të tatimit. Sipas propozimit të ri, fitimet që mbeten në kompani nuk do t’i nënshtrohen tatimit mbi dividendin për sa kohë nuk shpërndahen; për fitimet e shpërndara do të zbatohej norma prej 15%, nëse projektligji miratohet.