Bizneset që do të kërkojnë të rinovojnë marrëveshjen e Paqes Fiskale për vitin 2027 do të kenë një afat më të gjatë për të dorëzuar kërkesat e tyre. Sipas burimeve nga administrata tatimore, periudha e aplikimit pritet të zgjatet në rreth një muaj, përkatësisht nga 15 Maji deri më 15 Qershor 2027.
Kjo masë ndërmerret pas eksperiencës së vitit të parë të zbatimit, kur periudha e aplikimit zgjati vetëm 20 ditë, duke nisur më 15 Maj dhe përfunduar më 5 Qershor 2026. Ekspertët kishin kërkuar më herët lehtësimin e afateve për shkak të vështirësive në zbatimin e këtij procesi. Përfaqësues të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve kanë sqaruar se çdo zgjatje e mëtejshme do të shkurtonte periudhën minimale njëvjeçare të zbatimit të marrëveshjes për tatimpaguesit.
Në marrëveshje mund të përfshihen bizneset me të ardhura bruto vjetore mbi 14 milionë lekë, me përjashtim të subjekteve ndaj të cilave ka procedime penale për evazion fiskal ose mashtrim tatimor. Marrëveshja ka një afat njëvjeçar dhe mund të rinovohet deri në dy herë.
Skema përfshin dy mekanizma kryesorë:
• Parapagimi i tatimit: Biznesi llogarit tatimin mbi bazën e fitimit të vitit të mëparshëm, të rritur me një marzh prej 18%. Për çdo fitim që tejkalon këtë nivel, aplikohet një tatim shtesë prej 5%. Në këmbim, biznesi përfiton moskryerje të kontrolleve tatimore për periudhën njëvjeçare.
• Rideklarimi i pasqyrave financiare: Bizneset mund të korrigjojnë bilancet e tre viteve të fundit për elemente si gjendja e parasë, aktivet fiktive ose pasuritë e patreguara, kundrejt një tatimi prej 5%, pa u ngarkuar me gjoba apo kamatëvonesa.
Të dhënat paraprake nga administrata tatimore tregojnë se interesi i bizneseve për t'u përfshirë në këtë marrëveshje ka qenë i ulët deri më tani.