Qumështorja Vita ka ndërmarrë hapa ligjorë ndaj Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), pasi sipas kompanisë, analizat dëshmojnë se produktet e saj janë të pastra. Kjo nismë vjen si kundërpërgjigje ndaj procedurave të verifikimit administrativ dhe kontrollit të jashtëzakonshëm të nisur ndaj operatorit ekonomik ABRAZEN LLC dhe subjekteve të tjera të lidhura me këtë proces.
Në kërkesat e drejtuara gjykatave, Vita kërkon shfuqizimin e vendimeve për verifikim dhe sigurimin e provave. Kompania argumenton se AUV-ja ka dështuar të përmbushë detyrimet ligjore për publikimin e rezultateve të analizave dhe nuk i ka dërguar ato për shqyrtim kompanisë, pavarësisht kërkesave të përsëritura. Sipas përfaqësuesve të qumështores, ky hezitim për të shpalosur raportin e datës 4 gusht 2026 dhe vonesat në publikimin e të dhënave ngrenë pikëpyetje mbi transparencën dhe drejtshmërinë e procedurave të ndjekura ndaj saj. Për shkak të natyrës së çështjes, kërkesa për sigurimin e provës është klasifikuar nga kompania si urgjente.