Qytetarë dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile u mblodhën në Sheshin e Qytetit në Pejë, ku ndezën qirinj në kujtim të Arlinda Zekajt, e cila u vra të dielën në Vitomiricë të Pejës.
Aktiviteti u organizua nga organizata Syri i Vizionit, në bashkëpunim me organizata të tjera të shoqërisë civile, në shenjë dhimbjeje dhe solidariteti me Arlindën dhe familjen e saj. Pjesëmarrësit kërkuan drejtësi për të, përgjegjësi institucionale dhe masa konkrete për garantimin e sigurisë dhe mbrojtjes së grave.
“Asnjë grua më pak! Drejtësi për Arlindën! Siguri dhe mbrojtje për çdo grua!” ishte mesazhi i organizatorëve.
Pranë fotografisë së Arlindës dhe qirinjve të ndezur ishte vendosur edhe mbishkrimi “DERI KUR?!”. Përmes tij u përcoll thirrja për më shumë përgjegjësi institucionale dhe veprime konkrete kundër dhunës ndaj grave.
Pjesëmarrësit shprehën solidaritet me familjen e Arlindës dhe përsëritën kërkesën për drejtësi dhe mbrojtje për çdo grua.