Kryeministri Edi Rama ka vijuar me sulmet ndaj influencerave dhe bloggerëve, të cilët prej ditësh po mbështesin protestat masive që synojnë largimin e tij nga qeveria. Gjatë fjalës së mbajtur në Konferencën e 3-të Kombëtare të Arsimit dhe Formimit Profesional, Rama deklaroi se janë pikërisht këta individë ata që nxisin racizëm ndaj punonjësve të huaj që vijnë për të punuar në Shqipëri.
Sipas kryeministrit, ky grup personash ose nuk ka nevojë për punë, ose punon në rrjetin social Instagram duke reklamuar një stil jetese luksoze. “Nuk ka një vend në bregdetin shqiptar ku paga të jetë më e ulët se në Kroaci, nuk ka! Cili është problemi? Problemi është që ata që nxisin racizëm ndaj punonjësve të huaj dhe ata që kujtojnë se punonjësit e huaj vijnë nga Filipinet si skllevër, ata nuk duan të punojnë dhe të marrin një pagë si në Greqi dhe Kroaci”, u shpreh Rama.
Kryeministri shtoi se këta persona japin intervista duke pretenduar se jeta e tyre modeste kushton 20 mijë euro në muaj. Rama e krahasoi modelin e turizmit me atë të Zvicrës, duke argumentuar se rritja e pagave varet direkt nga cilësia e shërbimeve dhe sistemit të turizmit. Sipas tij, sa më e lartë të jetë cilësia dhe konsumi, aq më të larta do të jenë të ardhurat për të gjithë.