Bashkim Ramosaj, kryetar i Komunës së Deçanit, reagoi ashpër në emisionin “Kosova Live” ndaj deklaratës së Nenad Rashiqit, ministër për Komunitete dhe Kthim. Rashiqi kishte treguar se kryeministri Albin Kurti vendosi t’ia transferojë Manastirit të Deçanit 24 hektarë tokë, duke i thënë atij “Do ta bëjmë këtë për ty”.
Ramosaj e cilësoi deklaratën si shokuese dhe të papranueshme. Ai theksoi se tema e Manastirit është delikate dhe nuk duhet trajtuar për interesa personale apo politike.
“Na ka shokuar kjo deklaratë. Tema e Manastirit është temë delikate dhe që një kryeministër ta bëjë për hatër të dikujt është e papranueshme dhe pa precedent”, u shpreh Ramosaj. Ai shtoi se çështje të tilla duhet trajtuar me kujdes institucional dhe në përputhje me interesat e shtetit të Kosovës.
Reagimi vjen në kontekstin e diskutimeve për pronësinë e Manastirit të Deçanit, një çështje e ndjeshme historike dhe ligjore.