Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) nxjerr në pah se 334 shkolla në Shqipëri nuk kanë psikologë, ndërsa rreth një e katërta e institucioneve arsimore parauniversitare mungojnë punonjës socialë ose psikologë. Kjo situatë evidentohet kryesisht në zonat rurale, veçanërisht në jug të vendit, ku shërbimi psiko-social mungon plotësisht në një pjesë të mirë të tyre.
Problematikat janë më të theksuara në zyra vendore arsimore si Finiq-Dropull, ku shërbimi psiko-social mungon fare. Në Selenicë, një punonjës mbulon 18 shkolla, ndërsa në Tepelenë-Memaliaj një punonjës i vetëm shërben 14 shkollave. Edhe pse numri i psikologëve dhe punonjësve socialë ka pasur rritje gjatë periudhës 2014-2024, distancat e mëdha nga qendrat urbane kufizojnë aksesin dhe cilësinë e shërbimit për nxënësit.
Kushtet infrastrukturore
Kushtet infrastrukturore mbeten problematike. Psikologët ofrojnë shërbimin në ambiente që nuk janë të dedikuara, por të ndara me oficerët e sigurisë ose mjekët e shkollës, çka ndikon negativisht në cilësinë e punës.
Mbështetja për nxënësit me aftësi të kufizuara
Raporti evidenton se 4686 nxënës me aftësi të kufizuara nuk marrin mbështetje psiko-sociale, pavarësisht kuadrit rregullator që parashikon një punonjës për çdo 10 nxënës të tillë. Institucionet arsimore nuk sigurojnë mbulim të plotë për këtë kategori.
Rekomandimet e KLSH
KLSH rekomandon që Ministria e Arsimit, në bashkëpunim me strukturat e varësisë, të ndërmarrë një analizë të plotë vlerësuese të shpërndarjes aktuale të punonjësve psiko-socialë dhe të zbatojë një plan ndërhyrjeje për zonat kritike ku shërbimi mungon ose është i kufizuar.