Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Shqipe Mehmeti-Selimi, ka publikuar një mesazh në rrjetin social Facebook një ditë pas shpalljes së aktgjykimit ndaj bashkëshortit të saj, Rexhep Selimi. Në fotografinë e shpërndarë, shihen fëmijët e tyre duke mbajtur flamurin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Ajo e ka shoqëruar imazhin me mbishkrimin: “Nën hijen e këtij flamuri, gjithmonë krenarë, gjithmonë të fortë!”.
Trupi gjykues i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë e ka dënuar Rexhep Selimin me 13 vjet burgim në kuadër të një procesi gjyqësor të shkallës së parë. Sipas njoftimeve nga Dukagjini, ish-kreu i UÇK-së është shpallur fajtor për katër akuza të krimeve të luftës:
- Arrestim dhe ndalim i paligjshëm ose arbitrar
- Trajtim mizor
- Torturë
- Vrasje e paligjshme
Ndërkohë, sipas raportimit të Telegrafit, gjykata e ka shpallur Rexhep Selimin të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit. Është bërë e ditur gjithashtu se koha e kaluar në paraburgim do t’i llogaritet në dënimin e përgjithshëm, ndërsa pala mbrojtëse ka të drejtë të bëjë ankesë ndaj këtij vendimi të shkallës së parë.