Në prag të shpalljes së verdiktit nga Gjykata Speciale në Hagë, deputetja e Kuvendit të Kosovës, Shqipe Mehmeti-Selimi, ka ndarë një mesazh publik për bashkëshortin e saj, Rexhep Selimi. Përmes një fotografie të postuar në rrjetet sociale, ajo shprehu besimin për një epilog pozitiv, duke shkruar: “Betejë pas beteje! Sa më të fortë në beteja, aq më të bindur për fitoren në fund”.
Shqipe Mehmeti-Selimi ka udhëtuar drejt Holandës për të qëndruar pranë bashkëshortit të saj në këto orë vendimtare. Ajo, së bashku me familjarë të tjerë të ish-krerëve të UÇK-së, po kryen vizitat e fundit përpara se gjykata të shpallë vendimin final për katër të akuzuarit: Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin. Procesi gjyqësor ndaj tyre po zhvillohet pas arrestimit të tyre rreth gjashtë vjet më parë nën akuzat për krime lufte.
Përditësime
Gjykata Speciale në Hagë caktoi nesër datën për shpalljen e aktgjykimit final për ish-krerët e UÇK-së. Lajmi u konfirmua zyrtarisht nga institucionet gjyqësore, duke i dhënë fund pasigurisë për kohën e vendimmarrjes. Familjarët e të akuzuarve po përfundojnë vizitat e tyre në prag të këtij procesi përfundimtar.