Spitalet publike në Shqipëri po kalojnë në një fazë të re të rikonstrukturimit të shërbimit spitalor. Ministrja e Shëndetësisë Evis Sala deklaroi se ato po rivlerësohen për të kaluar nga financimi i bazuar në shtretër në modelin e financimit sipas rasteve, të njohur si DRG.
Kjo reformë synon rikonceptimin e plotë të spitaleve rajonale, duke adresuar largësinë e tyre nga qendrat e banuara, shfrytëzimin e shtretërve dhe riorganizimin e shërbimeve. «Ristrukturimi i shërbimit spitalor, përmes kalimit nga financimi i bazuar në shtretër në financimin sipas rasteve (DRG), duke garantuar që fondet publike të ndjekin shërbimin dhe performancën. Në këtë kuadër do të racionalizohen kapacitetet e 42 spitaleve dhe do të zgjerohen shërbimet», tha ministrja.
Nga Kopenhagen, ku Ministria e Shëndetësisë firmosi marrëveshje bashkëpunimi me Zyrën Europiane të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), synohet mbështetja e Shqipërisë për garantimin e aksesit universal në kujdes shëndetësor cilësor. Në të njëjtën kohë, Shqipëria propozoi pranë OBSH-së një nismë europiane për parandalimin dhe adresimin e dhunës digjitale ndaj grave dhe vajzave.
Ministrja Sala theksoi gjithashtu reformën në shërbimin e onkologjisë, përmes ngritjes së Institutit Kombëtar të Tumorit dhe Rrjetit Kombëtar Onkologjik, në bashkëpunim me Institutin e Tumoreve në Milano. Kjo përfshin përdorimin e inteligjencës artificiale (IA) në shëndetësi, ndërtimin e boshtit digjital të shëndetësisë dhe sistemeve të ndërveprueshme.