RENEA përmbyllën me sukses pjesëmarrjen në edicionin e radhës të garës ndërkombëtare UAE SWAT Challenge në Dubai, duke përfaqësuar Policinë e Shtetit deri në ditën e fundit të aktivitetit.
Dy ekipet e RENEA-s zhvilluan performanca të shkëlqyera në disiplinat taktike, duke demonstruar profesionalizëm, përgatitje të lartë fizike dhe koordinim shembullor në skenarë operacionalë kompleksë. Gara përfshiu rreth 109 ekipe nga 50 shtete dhe u cilësua si tejet konkurruese.
Paraqitja e tyre tërhoqi vëmendjen e homologëve ndërkombëtarë për bashkëpunime të mundshme në trajnime dhe shkëmbim përvojash. Zëvendëspresidenti dhe Kryeministri i Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohammed bin Rashid Al Maktoum, si dhe Komandanti i Përgjithshëm i Policisë së Dubait, Abdullah Khalifa Al Marri, falënderuan efektivët shqiptarë për profesionalizmin.
Autoritetet e Dubait shprehën interes për nisjen e një procesi bashkëpunimi zyrtar me RENEA-n në drejtim të trajnimeve dhe praktikave operative. Përfaqësuesit shqiptarë garantuan se kërkesa do t’i përcillet Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, për shqyrtim dhe miratim.
Aktiviteti shërben si platformë për shkëmbimin e teknikave të avancuara mes njësive speciale, me qëllim rritjen e efikasitetit në luftën kundër krimit dhe terrorizmit. Pjesëmarrja forcoi kapacitetet profesionale të RENEA-s dhe marrëdhëniet ndërkombëtare të Policisë së Shtetit.