Reshjet e shiut të rëna gjatë natës së 11 shkurtit 2026 kanë krijuar përmbytje në disa zona urbane të qytetit të Lezhës. Sistemi i kanalizimeve nëntokësore nuk ka arritur të përballojë nivelin e lartë të prurjeve, duke bërë që uji të dalë në sipërfaqe dhe të mbulojë rrugët si dhe hapësirat mes pallateve.
Më problematike janë blloqet e banimit “11 Janari” dhe zona “11.2 hektarë” në lagjen Besëlidhja, ku niveli i lartë i ujit ka vështirësuar lëvizjen e qytetarëve dhe qarkullimin e automjeteve. Për shkak të kësaj, Policia Bashkiake ka bllokuar qarkullimin në disa akse rrugore dhe ka orientuar drejtuesit e mjeteve drejt rrugëve alternative për të garantuar sigurinë dhe shmangien e incidenteve.
Ngadalësimi i evakuimit të ujërave është ndikuar nga punimet e nisura prej disa muajsh për rehabilitimin e sistemit të kanalizimeve të ujërave të bardha dhe të zeza. Ky projekt synon zgjidhjen përfundimtare të problematikës së përmbytjeve në Lezhë.
Moti i keq ka shkaktuar gjithashtu probleme me furnizimin me energji elektrike, si në qytet ashtu edhe në zonat rurale dhe fshatra. Grupet e punës të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ndodhen në terren për riparimin e defekteve dhe rikthimin sa më të shpejtë të energjisë në zonat e prekura.