Protestat, të cilat në opinionin publik njihen si "Revolucioni i Flamingove", vazhdojnë për të 37-ën ditë me radhë. Lëvizja nisi si reagim ndaj planeve për ngritjen e një resorti turistik luksoz në zonën e mbrojtur të Lagunës së Nartës, një projekt i lidhur me emrat e Ivanka Trump dhe Jared Kushner.
Ndërsa qeveria e Shqipërisë e prezanton këtë projekt si një mundësi të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të vendit, një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve ka shprehur kundërshtimin e saj. Përtej ndikimit në mjedis, protestuesit vënë në pikëpyetje mënyrën se si po procedohet me vendimmarrjen e këtij investimi, duke e lidhur atë me problematika më të gjera si korrupsioni, mungesa e transparencës dhe përqendrimi i pushtetit.
Sipas analizave të publikuara në revistën britanike The Banker, debati publik për këtë çështje ka ngritur pyetje thelbësore lidhur me standardet e investimeve të huaja në Shqipëri. Protestuesit theksojnë se konsultimi publik nuk duhet të shihet si një proces formal apo opsional, por si një element thelbësor i qeverisjes demokratike.
Kjo qasje mbështetet edhe në Deklaratën e Kombeve të Bashkuara të vitit 1986 për të Drejtën e Zhvillimit, e cila parashikon se zhvillimi ekonomik duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe i përqendruar te nevojat e qytetarëve, duke u vlerësuar përtej shifrave të thjeshta të rritjes ekonomike ose kapitalit të investuar.