Rinia Demokratike e Kosovës, organizatë rinore e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), realizoi të enjten, më 12 mars 2026, një aksion simbolik para Ministrisë së Punëve të Jashtme (MPJ).
Aksioni erdhi si reagim ndaj publikimit të një fotografie nga ambientet e MPJ-së, ku shihej fotoja e ish-presidentit Hashim Thaçi e hedhur në tokë në një dhomë të mbushur me gjësende. Sipas Rinisë Demokratike të Kosovës, ky veprim përbën mungesë respekti ndaj një ish-presidenti dhe përpjekje për të relativizuar historinë shtetformuese të Kosovës.
Gjatë aksionit, vendosën një fotografi të Hashim Thaçit, të shoqëruar me momentet kryesore të rrugëtimit të tij politik e shtetëror:
- lider i studentëve;
- bashkëthemelues i UÇK-së;
- kryesues i delegacionit shqiptar në Rambouillet;
- kryeministër i shtetndërtimit;
- president i Republikës së Kosovës.
Mesazhi i aksionit ishte: "Fotografitë mund t’i gjuani, por historinë nuk mund ta fshini". Rinia Demokratike e Kosovës thekson se historia e Kosovës nuk rishkruhet sipas preferencave politike, pasi kontributi për lirinë, pavarësinë dhe shtetndërimin është i dokumentuar në sakrifica e vendime historike.
Organizata vlerëson se institucionet duhet të jenë hapësira që nderojnë historinë dhe kontributin e atyre që kanë shërbyer për vendin, pavarësisht bindjeve politike.