Rreth 100 media franceze iu drejtuan gjykatës në Francë në prill të vitit 2025, duke akuzuar Meta-n, pronaren e Facebook-ut dhe Instagram-it, për përdorimin e të dhënave personale të përdoruesve në kundërshtim me Rregulloren e Përgjithshme Evropiane për Mbrojtjen e të Dhënave Personale (GDPR). Mediat kërkojnë kompensim për dëmet që, sipas tyre, u janë shkaktuar nga këto praktika.
Mes paditësve janë gazetat Le Figaro, Libération dhe L’Équipe, si dhe televizionet BFM dhe TF1. Sipas paditësve, përdorimi i të dhënave i dha Meta-s pozitë dominuese në tregun e reklamave digjitale, duke dëmtuar konkurrencën dhe të ardhurat e mediave tradicionale.
Vlerësimet paraprake të qendrës amerikane të kërkimit ekonomik Charles River Associates sugjerojnë se mediat franceze mund të kenë humbur rreth 1,4 miliardë euro të ardhura nga reklamat si pasojë e praktikave të pretenduara. Kjo është një vlerësim paraprak i humbjeve të mundshme; rezultati i çështjes në Francë do të përcaktojë nëse Meta do të detyrohet të paguajë kompensim për dëmet e pretenduara.
Çështja franceze vjen pas një padie të ngjashme në Spanjë. Sipas raportimeve të Bota Sot dhe Panorama, një gjykatë në Madrid e detyroi Meta-n t’u paguante mediave spanjolle 479 milionë euro. Almakos dhe Bota Sot e paraqesin shumën prej 1,4 miliardë eurosh si vlerësim të humbjeve të mundshme nga reklamat. Panorama e përmend në titull si dëmshpërblim të kërkuar, ndërsa në tekst e lidh me vlerësimin e humbjeve të të ardhurave nga reklamat.