Një ngjarje e pazakontë natyrore ka ndodhur mesditën e së premtes në fshatin Derdush, në njësinë administrative Dardhas të Bashkisë Pogradec. Një tufë me bagëti të imta, e cila po shtegtonte nga zona e Pirgut drejt kullotave malore, është goditur nga rrufeja.
Sipas të dhënave paraprake, tufa përbëhej nga rreth 190 krerë dele dhe dhi, në pronësi të shtetases Tatjana Biçoku. Nga kjo goditje kanë ngordhur 10 krerë, ndërsa 17 të tjera kanë marrë lëndime.
Menjëherë pas raportimit të rastit, në vendngjarje janë dërguar shërbimet veterinare për të vlerësuar gjendjen e kafshëve të mbijetuara dhe për të ndërmarrë masat e nevojshme shëndetësore. Autoritetet vendore bënë me dije se puna në terren është vështirësuar për shkak të mungesës së sinjalit telefonik në zonën malore, çka ka penguar komunikimin e drejtpërdrejtë me barinjtë dhe pronaren e tufës. Pritet që një bilanc përfundimtar të publikohet pas përfundimit të verifikimeve të plota nga ana e ekipeve të specializuara.