Rusia po ndihmon Iranin me të dhëna inteligjence mbi vendndodhjen dhe lëvizjet e trupave, anijeve dhe avionëve amerikanë. Ky është sinjali i parë i një përfshirjeje të heshtur të Moskës në konfliktin mes Republikës Islamike, SHBA-së dhe Izraelit, raporton CNN duke u mbështetur në burime të njohura me çështjen.
Shumica e këtyre të dhënave përmban imazhe nga rrjeti satelor rus. Nuk dihet çfarë merr Rusia në këmbim. CNN ka kërkuar koment nga Kremlini dhe ambasada ruse në Uashington. Nuk është e qartë nëse ndonjë sulm iranian lidhet drejtpërdrejt me këto të dhëna, të raportuara fillimisht nga Washington Post.
Disa dronë iranianë kanë goditur pozicione amerikane kohët e fundit. Të dielën, një dron iranian shënjestroi një objekt të përkohshëm në Kuvajt, ku stacionoheshin trupat amerikane, duke vrarë 6 ushtarë të SHBA-së. Një burim tha se kjo tregon se Rusia ende e vlerëson shumë Iranin.
SHBA kanë informacione se Kina po përgatitet të ofrojë Iranit ndihmë financiare dhe komponentë raketash, sipas tre personave të njohur me çështjen. Pekini deri tani ka qëndruar jashtë luftës. Kina varet shumë nga nafta iraniane dhe ka ushtruar presion mbi Teheranin për kalimin e sigurt të anijeve në Ngushticën e Hormuzit.
Një burim theksoi se Kina është më e kujdesshme në mbështetje dhe dëshiron përfundimin e luftës për të mbrojtur furnizimin me energji. Rusia dhe Irani bashkëpunojnë prej të paktën tre vitesh në teknologjinë e raketave dhe dronëve. Irani i ka dhënë Rusisë dronë Shahed, raketa balistike me rreze të shkurtër për Ukrainën dhe ka ndihmuar në ngritjen e një fabrike dronësh në Rusi.
Sekretari i Mbrojtjes amerikan, Pete Hegseth, deklaroi se Rusia dhe Kina nuk janë faktor në luftë, çka bie ndesh me raportimet e inteligjencës.