Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, në një prononcim të bërë pas protestës së të mërkurës në Prishtinë, ka kritikuar qëndrimin e Qeverisë së Kosovës lidhur me procesin gjyqësor që po zhvillohet në Hagë kundër ish-krerëve të UÇK-së. Sipas tij, pavarësisht dallimeve politike, ekzekutivi është dashur të dalë me një deklaratë zyrtare për të shprehur një qëndrim në lidhje me zhvillimet në këtë gjykatë.
I pyetur nga media në lidhje me mundësinë e përballjes me një aktakuzë të re apo mundësinë e arrestimit, Sami Lushtaku u shpreh se nuk ka arsye për t'u frikësuar. "Jo, tamam puna me ia nis me u frikësu, absolutisht jo", tha ai.
Ndër të tjera, Sami Lushtaku ka përsëritur mosbesimin e tij të vazhdueshëm ndaj punës së Dhomave të Specializuara të Kosovës. Në komentin e tij, ai theksoi se nuk u ka besuar dhe vazhdon të mos u besojë këtyre procedurave gjyqësore, duke iu referuar edhe vendimit të shkallës së parë për dënimin e ish-krerëve të UÇK-së me 81 vjet burg, për të cilin pritet vendimi i Apelit.