Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, konfirmoi në një konferencë për shtyp në Bruksel se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do të jenë të përfaqësuara në nivelin më të lartë në takimin e ministrave të mbrojtjes të NATO-s këtë javë. Takimi zhvillohet nesër.
Në vend të sekretarit të Mbrojtjes, Pete Hegseth, do të marrë pjesë zëvendëssekretari Elbridge Colby. Kjo mungesë vjen pas anulimit në dhjetor të pjesëmarrjes së sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, në një takim tjetër të planifikuar të NATO-s në Bruksel.
Mungesa e sekretarëve amerikanë në takime zyrtare të NATO-s konsiderohet jashtëzakonisht e rrallë. Ish-zëdhënësja e NATO-s, Oana Lungescu (2010–2023), shkroi se kjo mund të jetë hera e parë në historinë e aleancës kur dy takime ministrash radhazi zhvillohen pa një sekretar amerikan.
Mark Rutte deklaroi se vendimi i Hegseth-it pranohet dhe theksoi se kontaktet e tij me zyrtarët e lartë të Shtëpisë së Bardhë, Pentagonit dhe Departamentit të Shtetit vazhdojnë të jenë intensive.