Autoritetet greke kanë sekuestruar rreth 500 kilogramë kanabis të llojit skunk (hidroponik) në portin e Igumenicës. Ngarkesa u zbulua në një kamion me targa bullgare gjatë një kontrolli të detajuar nga Policia Helenike, përmes njësive të specializuara DAOE dhe EL.AS.
Droga ishte e fshehur brenda një ngarkese me produkte letre, si peshqirë higjenikë dhe rrotulla letre, si dhe produkte kuzhine. Kamioni kishte nisur nga Valencia në Spanjë, kishte kaluar përmes Italisë me traget dhe dyshohet se destinacioni përfundimtar ishte Turqia, ku kjo lëndë ka vlerë më të lartë në treg. Një pjesë më e vogël dyshohet se do të shpërndahej në Greqi.
Shoferi, një shtetas 50-vjeçar bullgar, është arrestuar në vendngjarje. Ai nuk po bashkëpunon me autoritetet dhe refuzon të japë të dhëna për rrjetin e trafikut.
Operacioni u zhvillua me ndihmën e një qeni antidrogë dhe në bashkëpunim me rojën bregdetare. Kamioni ishte vënë nën vëzhgim për rreth një muaj, pas informacioneve nga autoritetet bullgare. Vlera e drogës në tregun e zi vlerësohet shumë e lartë për shkak të cilësisë dhe sasisë.