Policia e Kosovës, konkretisht Sektori Rajonal i Hetimeve në Gjilan, ka ndërmarrë veprime hetimore ndaj Arianit Sllamnikut (lindur më 1978), të dyshuar për kryerjen e veprave penale "Ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike" dhe "Eksperimentet e kundërligjshme mjekësore dhe testimi i barërave", të sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Ngjarja ka ndodhur më 20 janar 2026.
Kontrolli në pronat e të dyshuarit është kryer bazuar në urdhëresën e Gjykatës Themelore në Gjilan, në prani të inspektorëve nga Ministria e Shëndetësisë, të cilët kanë asistuar për identifikimin e medikamenteve farmaceutike.
Gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar:
• Dy armë zjarri të gjata (me leje përkatëse).
• Dy armë zjarri të shkurtra (me leje përkatëse).
• Sasi municioni dhe disa karikatorë të armëve.
• Medikamente të ndryshme.
• Libra protokolli.
• Pajisje elektronike, si shtëpizë kompjuteri, telefona dhe mikroçipa.
Arianit Sllamnikut i është marrë intervista në prani të avokatit mbrojtës dhe, me vendim të Prokurorit të Shtetit, është dërguar në mbajtje për 48 orë për vazhdimin e hetimeve.
Përditësime
Autoritetet nisën hetimin fillestar pas publikimeve në media elektronike për veprimtari të dyshuara mjekësore.
Operacioni u zhvillua në bashkëpunim me institucionet relevante, me autorizim nga Prokurori i Shtetit.