Policia e Kosovës ka sekuestruar rreth 20 m³ dru të përpunuar në fshatin Lupç të Komunës së Podujevës, më 9 mars 2026 rreth orës 11:40.
Në kuadër të Planit Operativ “Gatishmëria Vepruese-2026”, njësitë e Sektorit për Operativë në Drejtorinë Rajonale të Kufirit – Lindja kanë ndaluar një kamion të tipit MAN me targa RKS (01), të drejtuar nga i dyshuari K.B. (1991).
Gjatë kontrollit, është konstatuar mungesa e dokumentacionit valid për transportin e druve dhe për ushtrimin e veprimtarisë biznesore të përpunimit të tyre.
Masa drusore, kryesisht dërrasa, është inspektuar dhe sekuestruar nga inspektorët e Agjencisë së Pyjeve të Kosovës. Ajo është dërguar në depon e APK-së për procedura të mëtejshme.
Me autorizim të prokurorit kompetent, është iniciuar rasti penal për veprat “tregti e ndaluar” dhe “transport i kundërligjshëm i druve”, i cili do të trajtohet nga njësitë përkatëse.