Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë njoftoi më 2 gusht se në pikëkalimin kufitar Horgosh, në kufi me Hungarinë, është arrestuar një person i identifikuar me inicialet M.M., i lindur në vitin 1981. Autoritetet serbe njoftuan se i dyshuari po përballet me akuzat për veprën penale “krim lufte kundër popullsisë civile”. Sipas njoftimit zyrtar, krimi dyshohet se është kryer më 26 korrik 1999 në fshatin Kllobukar të Kosovës ndaj dy personave me inicialet T.S. dhe S.S.
Operacioni është kryer nga pjesëtarët e Shërbimit për Zbulimin e Krimeve të Luftës, në bashkëpunim me Shërbimin për Luftimin e Terrorizmit dhe Policinë Kufitare të Serbisë. I ndaluari do të mbahet për një periudhë prej 48 orësh, pas së cilës pritet t'i dorëzohet Prokurorisë Publike për Krime Lufte në Serbi për procedura të mëtejshme penale.
Në një zhvillim paralel, avokati nga Kosova, Arianit Koci, njoftoi se autoritetet serbe kanë ndaluar shtetasin kosovar Mentor Mustafa, 44 vjeç, nga fshati Jasenovik i Komunës së Novobërdës. Sipas avokatit, ndalimi ka ndodhur rreth orës 22:30, ndërsa Mustafa po udhëtonte me autobus nga Shtutgarti për në Kosovë, së bashku me të vëllanë, Fejzullah Mustafën. Avokati Koci deklaroi se, bazuar në fjalët e vëllait të të ndaluarit, autoritetet kufitare serbe e kishin arsyetuar ndalimin me faktin se Mentor Mustafa kishte një letërnjoftim të dëmtuar. Aktualisht, Koci ka bërë të ditur se është duke u angazhuar për të sqaruar rrethanat dhe për t'i ofruar ndihmë juridike të ndaluarit.
Deri në këto momente, institucionet zyrtare të Republikës së Kosovës nuk kanë publikuar informacione lidhur me rastin. Megjithëse është kërkuar një konfirmim zyrtar për të verifikuar nëse bëhet fjalë për të njëjtin rast, deri në publikimin e këtyre të dhënave, nuk është marrë asnjë përgjigje nga Qeveria e Kosovës apo institucionet përkatëse.
Përditësime
Avokati Arianit Koci ka lidhur arrestimin e shtetasit kosovar Mentor Mustafa në pikëkalimin Horgosh me hetimet për krimet e luftës dhe gërmimet e fundit në Kalludër të Vogël, Zubin Potok. Sipas Kocit, ky ndalim mund të jetë një kundëreagim i Serbisë ndaj zbulimit të varrezave masive në territorin e Kosovës. Avokati konfirmoi se është njoftuar për ndalimin dhe ka nisur procedurat për sqarimin e rrethanave ligjore të rastit.
Avokati Arianit Koci konfirmoi për Klan Kosova se është njoftuar për arrestimin e shtetasit Mentor Mustafa pas mesnate. Koci e cilësoi ndalimin si veprim të motivuar politikisht, duke pretenduar se Serbia po përdor këto masa si kundërpërgjigje ndaj zbulimit të varrezave masive në Kosovë. Nga ana tjetër, sipas Koha.net, autoritetet serbe e kanë ndërlidhur zyrtarisht arrestimin me dyshime për krime lufte në fshatin Kllobukar.