Prokuroria për Krime Lufte e Serbisë ka konfirmuar se është duke kryer veprime hetimore lidhur me një shtetas të identifikuar si M.M., i cili dyshohet për krime lufte kundër popullsisë civile në Kosovë. Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, i ndaluari akuzohet për vepra të kryera në korrik të vitit 1999 në fshatin Kllobukar, afër Novobërdës, ndaj dy personave.
Ndalimi i personit, i cili është identifikuar nga avokati Arianit Koci si Mentor Mustafa, 44 vjeç, nga fshati Jasenovik i komunës së Novobërdës, është kryer më 1 gusht, rreth orës 22:30, në pikëkalimin kufitar Horgosh, midis Serbisë dhe Hungarisë. Mustafa ishte duke udhëtuar me autobus nga Shtutgarti i Gjermanisë drejt Kosovës, në shoqërinë e vëllait të tij, Fejzullah Mustafës.
Sipas dëshmisë së përcjellë nga avokati Koci, gjatë ndalimit, autoritetet serbe fillimisht e kishin lidhur procedurën me një problematikë në lidhje me dëmtimin e letërnjoftimit të të ndaluarit. Nga ana tjetër, Prokuroria për Krime Lufte e Serbisë, në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, ka bërë të ditur se për shkak të fazës jo publike të procedurës penale, aktualisht nuk mund të ofrohen detaje shtesë mbi rastin.
Institucionet e Republikës së Kosovës deri në këto momente nuk kanë dalë me një njoftim zyrtar lidhur me këtë ndalim. Ky rast vjen në një periudhë kur Serbia ka ndaluar në mënyrë të përsëritur shtetas të Kosovës nën dyshime për krime lufte të kryera gjatë viteve 1998-1999. Në të njëjtën kohë, autoritetet e drejtësisë në Kosovë kanë ndjekur rrugë të ngjashme, duke arrestuar dhjetëra serbë nën akuza për krime lufte, disa prej të cilëve janë përballur edhe me vendime dënuese nga gjykatat vendore.