Ivica Daçiq, ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, ka konfirmuar arrestimin e Mit’hat Lozhanit, shtetas nga Peja, lindur më 1980.
Lozhani u arrestua në Pikën Kufitare të Batrovcit nga Drejtoria e Policisë Kriminalistike dhe Shërbimi për Zbulimin e Krimeve të Luftës, në bashkëpunim me Agjencinë për Informacion dhe Siguri (BIA). Autoritetet serbe e akuzojnë për kryerjen e krimeve të luftës kundër popullatës civile gjatë viteve 1998-1999.
Sipas versionit serb, Lozhani, si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Zonën Operative të Dukagjinit, mori pjesë në trajnime, sulme kundër forcave serbe, rrëmbime dhe vrasje të zyrtarëve policorë. Këto veprime dyshohet se i kryen në kuadër të një grupi të komanduar nga Ramush Haradinaj.
Ministria e Punëve të Brendshme serbe i ka caktuar Lozhanit masën e ndalimit deri në 48 orë, pas së cilës ai do të dorëzohet në Zyrën e Prokurorit Publik për Krime Lufte bashkë me kallëzim penal. Me njoftimin zyrtar, MPB-ja serbe ka publikuar edhe fotografi si prova ndaj të dyshuarit.
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL UÇK) pretendon se Lozhani u ndalua vetëm pse në xhep iu gjet kartela e anëtarësisë së veteranit të UÇK-së.