Daniel Serwer, ekspert amerikan për çështjet e Ballkanit Perëndimor, deklaroi në një intervistë për A2 CNN se krijimi i Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ka qenë gabim i madh.
Ai e quajti padrejtësi të madhe atë që po u bëhet ish-luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke akuzuar gjykatën se ka tejkaluar mandatin e saj. "Unë e shikoj si kthimin e viktimës në dhunues dhe jam shumë i zhgënjyer me gjykatën. Mori një interpretim të gjerë të mandatit të vet. Kjo nuk më pëlqen aspak dhe po del si një gabim i madh që unë i kam nxitur politikanët në Kosovë që ta zbatojnë, por tashmë po del gabim i madh. E ka tejkaluar masën, e ka vënë gjykatën në një kanalizim që do të përfundojë në diskreditimin e gjyqit dhe jo të UÇK-së", tha Serwer.
Bordi i Paqes
Serwer foli edhe për Bordin e Paqes, duke e cilësuar atë ide të dobët. Sipas tij, autorizimi nga Këshilli i Sigurimit ka ndodhur pa mandat të qartë dhe pjesëmarrja shihet me dyshim nga evropianët. "Bordi i Paqes nuk është diçka për të cilën jam entuziast me të vërtetën dhe mendoj se ishte një gabim që u autorizua edhe nga Këshilli i Sigurimit pa pasur një mandat të qartë dhe kjo pjesëmarrje është e dyshimtë përballë syrit të evropianëve dhe nuk jam optimist. Mendoj se kjo është në thelb një ide jo e mirë, por nuk do të thotë se Kosova të mos marrë avantazh dhe të mos e rrisë profilin ndërkombëtar. Mendoj se Kosova dhe Shqipëria po e bëjnë këtë", deklaroi ai.