Sezoni i gjuetisë për vitin 2026–2027 në Kosovë hapet më 25 tetor, sipas vendimit të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, të nënshkruar nga ministri Armend Muja. Gjuetia lejohet për lloje të caktuara të kafshëve të egra dhe zhvillohet në vendgjuetitë që kanë plane vjetore të miratuara të menaxhimit për këtë sezon.
Lista përfshin 26 vendgjueti në 19 komuna:
- Fushë Kosovë: Bjeshka; Suharekë: Gallusha; Pejë: Duboçaku dhe Podguri.
- Lipjan: Lipjani Lindje dhe Lipjan Perëndim; Gjilan: Maja e Gjelbër, Karadaku dhe Zhegoci; Graçanicë: Graçanica.
- Dragash: Sharri-Sar; Ferizaj: Ferizaj; Mitrovicë e Jugut: Shala; Obiliq: Qiqavica; Hani i Elezit: Kroni i Ftoftë.
- Deçan: Lojza; Shtërpcë: Canus Lupus; Vushtrri: Shala dhe Qyqavica; Kaçanik: Lybeteni; Istog: Mokna.
- Prishtinë: Prishtina I, Prishtina II dhe Prishtina III; Skenderaj: Drenica; Ranillug: Kriva Reka.
Kushtet dhe mbikëqyrja
Vendimi përcakton se gjuetia duhet të zhvillohet në përputhje me Ligjin për Gjuetinë dhe aktet e tjera ligjore në fuqi, duke respektuar kalendarin e gjuetisë për secilin lloj të kafshëve të egra. Gjuetinë mund ta organizojnë vetëm menaxherët e vendgjuetive që kanë hartuar dhe miratuar planet përkatëse të menaxhimit.
Pjesëmarrja lejohet për gjuetarët që plotësojnë kushtet ligjore, përfshirë dhënien e provimit për gjuetarë dhe pajisjen me lejen përkatëse nga menaxheri i vendgjuetisë. Menaxherët duhet të evidentojnë dhe raportojnë çdo kafshë të gjahut të vrarë, si dhe dyshimet për sëmundje te kafshët e egra.
Aktivitetet mund të zhvillohen vetëm në ditët e lejuara me ligj. Vendimi ndalon veprimet që bien ndesh me dispozitat për mbrojtjen dhe menaxhimin e faunës së egër. Ai hyn në fuqi ditën e nënshkrimit. Zbatimin do ta mbikëqyrin organet kompetente të ministrisë, përfshirë Departamentin Qendror të Inspekcionit për Pylltari dhe Gjueti, në bashkëpunim me institucionet përkatëse.