Një zyrtar i lartë amerikan deklaroi për televizionin izraelit Channel 12 se Shtetet e Bashkuara dhe Irani janë të gatshëm të hyjnë në bisedime për uljen e tensioneve. Kjo vjen në një kohë kur presidenti amerikan Donald Trump dhe ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi kanë shprehur shpresën për arritjen e një marrëveshjeje.
Sipas zyrtarëve amerikanë, deklaratat e Trump për një marrëveshje me Iranin janë të sinqerta dhe nuk përbëjnë një manovër për operacion ushtarak. Burime të cituara nga Times of Israel bëjnë të ditur se Turqia, Egjipti dhe Katari po veprojnë si ndërmjetës për të organizuar këtë javë një takim në Ankara mes të dërguarit special të Shtëpisë së Bardhë, Steve Witkoff, dhe përfaqësuesve iranianë.
Sinjale nga Teherani
Zyrtari iranian i sigurisë, Ali Larijani, shkroi të shtunën në platformën X se “pavarësisht atmosferës së krijuar nga lufta mediatike artificiale, po formësohet një strukturë për negociata”.
Deklarata e Trump
Donald Trump u shpreh nga Florida se “Shpresoj të arrijmë një marrëveshje. Nëse jo, do të shohim nëse ai ka të drejtë apo jo”, disa orë pasi udhëheqësi suprem iranian, ajatollah Ali Khamenei, paralajmëroi se çdo sulm amerikan do të shkaktonte “një luftë rajonale”. Ai shtoi se SHBA disponon “anijet më të mëdha dhe më të fuqishme në botë”. Megjithatë, ditët e fundit Trump ka dhënë mesazhe kontradiktore, duke alternuar kërcënimet ushtarake me thirrjet për dialog.
Pozicioni iranian
Abbas Araghchi deklaroi për CNN se një marrëveshje me SHBA është e arritshme, edhe pse Teherani ka humbur besimin ndaj Uashingtonit si partner negociues. Ai theksoi se bisedimet duhet të fokusohen vetëm te programi bërthamor iranian dhe jo te programi i raketave balistike apo mbështetja për grupe të armatosura.