Gjenerali Bashkim Jashari, komandanti i Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK), mori pjesë në takimin trilateral me shefat e shtabeve të Shqipërisë dhe Kroacisë. Takimi u zhvillua në Republikën e Shqipërisë dhe shënoi një hap të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe koordinimit strategjik në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.
Gjenerali Jashari, gjenerali Kingji dhe gjenerali Kundid zhvilluan diskutime të hapura dhe konstruktive mbi sfidat aktuale të sigurisë, thellimin e bashkëpunimit ushtarak, rritjen e ndërveprueshmërisë dhe avancimin e kapaciteteve mbrojtëse në përputhje me standardet euroatlantike.
Takimi konfirmoi përkushtimin e përbashkët për paqe, stabilitet dhe siguri të qëndrueshme në rajon, si dhe gatishmërinë për të zgjeruar bashkëpunimin përmes trajnimeve dhe ushtrimeve të përbashkëta, shkëmbimit të përvojave dhe koordinimit strategjik.
Sipas njoftimit të FSK-së, kjo iniciativë trilaterale përfaqëson një partneritet të fortë dhe një vizion të përbashkët për një rajon më të sigurt dhe të qëndrueshëm.
Përditësime
Shefat e shtabeve të Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë u takuan në Shkodër.
Ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Pirro Vengu, deklaroi se do të organizohen stërvitje të përbashkëta kundër sfidave të sigurisë dhe kërcënimeve hibride.
Prioritetet: më shumë bashkëpunim ushtarak, ndërveprueshmëri dhe gatishmëri operacionale.
Palët ranë dakord për stërvitjen e parë ushtarake Kosovë-Shqipëri-Kroaci sivjet.