Eva Palatova, shefja në detyrë e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, u takua këtë mëngjes me kryeministrin Albin Kurti.
Sipas njoftimit zyrtar, Palatova i prezantoi Kurtit raportet e gjetjeve të Misionit të Ekspertëve të Zgjedhjeve të BE-së mbi zgjedhjet e fundit lokale dhe parlamentare.
Në takim u theksua nevoja për depolitizimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke marrë parasysh rolin e tij si garantues i integritetit zgjedhor. Palët diskutuan rëndësinë e zbatimit të rekomandimeve të BE-së për përmirësimin e proceseve zgjedhore, rritjen e transparencës dhe forcimin e besimit të qytetarëve në institucionet demokratike.
Gjithashtu, u nënvizua domosdoshmëria e bashkëpunimit ndërinstitucional për të siguruar standarde më të larta zgjedhore në të ardhmen, si dhe për të avancuar reformat e lidhura me procesin e integrimit evropian të Kosovës.