Pas shpalljes së aktgjykimit dënues nga Gjykata Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Sherife Luta ka ndarë qëndrimin e saj publik mbi këtë zhvillim. Në një intervistë ekskluzive për emisionin "Review" në Euronews Albania, ajo shprehu keqardhje për dënimin e figurave që, sipas saj, ndihmuan popullin e Kosovës të fitonte lirinë.
Sherife Luta, e cila u bë simbol i eksodit të vitit 1999, kujtoi përvojën e saj të vështirë më 8 mars, kur forcat serbe detyruan largimin e popullsisë civile nga fshati Ivaj. Ajo përshkroi një udhëtim të mundimshëm prej 24 orësh drejt Kaçanikut, gjatë të cilit ndihma e pjesëtarëve të UÇK-së dhe e vëzhguesve të OSBE-së ishte përcaktuese për mbijetesën e saj dhe të vajzës së saj, Besës.
Duke reflektuar mbi të kaluarën, Luta deklaroi se fotografia e realizuar gjatë asaj kohe mbetet një kujtesë e gjallë e periudhës së luftës. Ajo theksoi se sot edhe vajza e saj, Besjana, e kupton rëndësinë e atyre ngjarjeve, duke shtuar se përjetimet nga dhuna e ushtruar nga forcat serbe nuk mund të harrohen kurrë.
"UÇK-ja është për mua ushtria që na ka ndihmuar shumë, e ka ndihmuar Kosovën dhe na ka sjellë lirinë. Fotoja më kujton kohën e luftës. Besjana tani e përkujton luftën dhe e di dhe e kupton edhe ajo. Ata njerëz që kanë përjetuar ato që na ka bërë Serbia, nuk harrohen", u shpreh Luta.