Një përplasje fizike mes katër personash u regjistrua mbrëmjen e 29 gushtit në lagjen numër 8 të qytetit të Korçës, në zonën e njohur si Radaneci. Konflikti, i cili nisi për motive të dobëta, e ka zanafillën nga një debat lidhur me zhurmën e fëmijëve që po luanin në lagje.
Si pasojë e përleshjes, dy vëllezër mbetën të lënduar lehtë në kokë dhe u dërguan menjëherë në spital për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Sipas informacioneve paraprake, të lënduarit ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Pas trajtimit mjekësor, të katër personat e përfshirë në incident janë shoqëruar nga forcat e rendit në komisariat, ku janë marrë në pyetje për të dhënë deklarimet e tyre në lidhje me rrethanat e ngjarjes. Grupi hetimor është duke punuar për të dokumentuar incidentin dhe për të përcaktuar nëse gjatë sherrit janë përdorur sende të forta, siç janë shkopinjtë prej druri, për të cilat ka dyshime nga autoritetet.