Platforma "Liria ka Emër" ka vazhduar fushatën e takimeve për marshin e parashikuar më 17 shkurt në Prishtinë, me moton “Drejtësi, jo politikë”. Përfaqësuesi i platformës, Ismail Tasholli, vizitoi Shoqatën e të Burgosurve Politikë të Kosovës, ku mori përkrahje të parezervë nga kjo shoqatë.
Tasholli falënderoi kryetarin e shoqatës për mbështetjen dhe theksoi se ky është vend i dinjitetit, krenarisë dhe idealit të shtetndërtimit të Kosovës. Ai e cilësoi mbështetjen si dëshmi të fuqishme të vlerave të lirisë dhe sakrificës.
Kryetari i shoqatës, Shefik Sadiku, deklaroi se shoqata solidarizohet me çlirimtarët e mbajtur në Hagë për më shumë se pesë vite. Ai përmendi Jakup Krasniqin, ish-të burgosur politik në fillim të viteve '80-ta, si dhe Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin, të cilët ishin pjesë e shtabit të UÇK-së në fushën politike dhe luftarake.
Sadiku nënvizoi se këta udhëheqës nuk i kanë ikur kurrë përgjegjësisë dhe se çështja kryesore është që ata ta argumentojnë se UÇK-ja ka qenë ushtri çlirimtare, assesi siç akuzohet nga gjykata.
Platforma “Liria ka Emër” do të vazhdojë takimet në tërë Kosovën për të mobilizuar qytetarët drejt një pjesëmarrjeje masive në marsh.