Organizatat kryesore të sistemit të drejtësisë në Shqipëri kanë reaguar lidhur me mosveprimin e Kuvendit për rregullimin e pagave të magjistratëve. Në një deklaratë të përbashkët, Unioni i Gjyqtarëve, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve dhe Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë konstatuan se afati i lënë nga Gjykata Kushtetuese ka përfunduar pa u miratuar ndryshimet e kërkuara ligjore.
Në shkurt të vitit 2026, me vendimin nr. 15, datë 17.02.2026, Gjykata Kushtetuese shfuqizoi disa dispozita të ligjit nr. 33/2023, duke vlerësuar se ato kishin sjellë një ulje të fshehur të pagave për magjistratët, duke cenuar statusin e tyre financiar. Gjykata i kishte lënë detyrë Kuvendit të ndërhynte në ligj brenda datës 31 korrik 2026.
Shoqatat theksojnë se mosveprimi i institucionit ligjvënës nuk krijon boshllëk ligjor, pasi vetë Gjykata ka përcaktuar mekanizmin alternativ. Duke filluar nga data 1 gusht 2026, pagat e magjistratëve duhet të përllogariten sipas formulës që i referohet pagës së funksionarit të administratës së lartë publike, bazuar në vendimin nr. 35/2022 të Gjykatës Kushtetuese. Ky rregullim pritet të ketë efekt prapaveprues për periudhën nga 1 prill 2023 deri më 31 korrik 2026.
Në deklaratën e tyre, organizatat e magjistratëve bënë thirrje për respektimin e detyrimeve kushtetuese dhe njoftuan se do të vijojnë të monitorojnë zbatimin e këtij vendimi nga ana e institucioneve përgjegjëse, duke ritheksuar gatishmërinë për bashkëpunim konstruktiv në respektim të nenit 132, pika 1, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.