Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, së bashku me organizatën “Përpjekja”, kanë bërë thirrje për protestë kundër paralajmërimeve për rritje të çmimit të energjisë elektrike. Ngjarja fillon të premten në ora 13:00 para ndërtesës së KEDS-it dhe përfundon para Qeverisë së Kosovës.
Aktivistja Qëndresa Hyseni ka bërë të ditur se protesta zgjat dy orë dhe ka ftuar qytetarët të bashkohen kundër këtij vendimi. Ajo ka theksuar se rritja ndikon drejtpërdrejt në koston e jetës, duke rritur faturat me 20%.
“Sa i përket përkrahjes, për secilin qytetar e qytetare është shumë e rëndësishme që faturat e rrymës mos të rriten”, ka deklaruar Hyseni në një intervistë për Ekonomia Online. Ajo ka shtuar se kundërshtimi qytetar është i domosdoshëm.
Sipas Hysenit, protesta e të premtes shërben si nisje e aksioneve të tjera deri në pezullimin e vendimit. “Protesta është për të gjithë qytetarët dhe secili ka të drejtë të protestojë ashtu si e sheh të arsyeshme”, ka thënë ajo.
Hyseni ka sqaruar se ngjarja organizohet nga aktivistët e shoqërisë civile dhe nuk ka lidhje me ndonjë parti politike. Organizatorët nuk presin as nuk bashkëpunojnë me forca partiake.
Përditësime
- KESCO kërkoi rritje tarifash prej 21.3% (nga 20% më parë), që ZRRE pritet ta miratojë.
- Rinia e Partisë Demokratike (PDK) zhvilloi aksion simbolik të enjten para Ministrisë së Ekonomisë (motto: 'Energjia nuk është luks'), duke denoncuar rritjen e faturave.
Organizatorët akuzojnë KEDS-in për keqmenaxhim dhe përfitime nga energjia e KEK-ut e shitur me çmime më të larta, duke thënë se qytetarët paguajnë humbjet dhe gabimet e saj për fitime më të mëdha. Në komunikatë, ata kërkojnë refuzimin e menjëhershëm të rritjes së çmimit, nisjen e procesit për rikthimin e KEDS-it në pronësi publike – me mbështetje nga sindikatat – dhe kritikojnë rritjet e vazhdueshme që nga 2022-a si 'hajni shumëvjeçare'.
ZRRE pritet të vendosë për rritjen e re të çmimit të rrymës në mars, pas asaj të miratuar prej 16.1% vitin e kaluar.
Qytetarët hasin ndërprerje të shpeshta të furnizimit me rrymë dhe mungesë ngrohjeje gjatë dimrit.
Rinia PDK raporton se familjet me të ardhura mujore prej 1000€ kanë shpenzime bazike prej 1085€, duke krijuar një deficit mujor prej 85€.
Protesta kundër shtrenjtimit të rrymës ka përfunduar. Policia ka arrestuar një person të moshuar para selisë së KEDS-it. Protestuesit kanë thirrur kryeministrin Albin Kurti me sloganin: "Hajde poshtë, dil para popullit". Ata kanë hedhur tymosës drejt KEDS-it. Pankartat lexonin: "Një popull nuk i nënshtrohet KEDS-it", "Nuk sakrifikojmë naftë për KEDS", "Rryma nuk është luks".