Qytetarët kanë filluar të mblidhen sot para objektit të KEDS-it në Prishtinë, për të kundërshtuar mundësinë e një rritjeje të re të çmimit të energjisë elektrike.
Protestuesit mbajnë pankarta me mbishkrime si:
- "Nuk sakrifikojmë na për KEDS"
- "Rryma nuk është luks"
- "ZRRE argatë të KEDS-it"
- "Rryma rritet, populli djeget"
- "Nuk e durojmë më hajninë"
Këto slogane i përgjigjen deklaratave të ministres në detyrë të ekonomisë, Artane Rizvanolli, lidhur me sakrifikimet për një energji të sigurt në të ardhmen.
Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist dhe organizata "Përpjekja" kanë cilësuar kërkesën e KESCO-s për rritje të çmimit të energjisë me 21.3 për qind si proces të padrejtë dhe të dëmshëm për qytetarët e Kosovës.
Protesta ka filluar te zyrat e KEDS-it, por demonstruesit planifikojnë të marshojnë drejt Qeverisë për të shpalosur të njëjtat kërkesa kundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike.
Përditësime
Policia arrestoi një protestues pas hedhjes së ngjyrës së kuqe drejt selisë së KEDS-it.
- Sylejman Krasniqi tregoi faturat e rrymës së tij, të rritura nga 50 në mbi 300 euro.
- Sevdije Sadiku tha se familjet do të mbeten pa rrymë, ndërsa pushtetarët jetojnë në luks.
- Aktivisti Erbilin Ajdini kritikoi KEDS-in dhe rikujtoi rritjen e çmimit me 16.1% vitin e kaluar.
- Avokati Arianit Koci, i pranishëm në protestë, foli për mungesën e pjesëmarrjes së zyrtarëve dhe paralajmëroi protesta të ardhshme.