Shqipëria renditet e dyta pas Turqisë në rang europian për përqindjen e popullsisë që përballet me strehim të pasigurt. Sipas të dhënave të Eurostat për vitin 2023, 12.7% e popullsisë shqiptare vuajnë nga kjo problematikë, shumë mbi mesataren e Bashkimit Europian prej rreth 4%. Vetëm Turqia ka përqindje më të lartë, me 19.7%.
Kjo situatë ndodh në kushte ku vendi përjeton një valë ndërtimesh të reja në bregdet dhe zona urbane, ndërsa popullsia rezidente tkurret me shpejtësi. Gati një në tetë persona në Shqipëri përballen me mungesë serioze të strehimit të përshtatshëm dhe të përballueshëm nga ana e kostos.
Krahasime me Europën dhe rajonin
Në vendet e Europës Perëndimore dhe Veriore, si Malta, Finlandia, Hollanda dhe Zvicra, ky tregues është nën 2%. Në raport me rajonin, Shqipëria ka përqindje më të lartë se Serbia dhe Maqedonia e Veriut, ku 7% e popullsisë ka probleme me strehimin. Bashkimi Europian e sheh strehimin si dimension kritik të varfërisë, pasi prek cilësinë e jetesës, veçanërisht për shtresat e pambrojtura.
Rritja e qirave
Strehimi i përballueshëm po vështirësohet më tej, pasi pagat rriten më ngadalë se qiratë. Këto shënuan rritjen më të lartë të çmimeve në nëntor 2025, me 6.7%, duke u bërë kryesisht kontribuesi i inflacionit dhe duke zëvendësuar ushqimet. Agjentët e tregut të qirave nënvizojnë se pronat me çmime 300-350 euro janë të pakta, kryesisht në periferi si Astir ose Fresku, dhe merren menjëherë.