Pavijoni Kombëtar i Shqipërisë u inaugurua më 8 maj 2026 në edicionin e 61-të të Ekspozitës Ndërkombëtare të Artit në La Biennale di Venezia, me prezantimin e veprës “A Place in the Sun” nga artisti Genti Korini, kuruar nga Małgorzata Ludwisiak.
Në fjalën e tij, Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, theksoi se pjesëmarrja e Shqipërisë në këtë bienale përfaqëson një moment me peshë strategjike për afirmimin e identitetit kulturor të vendit në skenën ndërkombëtare.
Ai vuri në dukje se pavijoni është një hapësirë ku Shqipëria artikulon mënyrën se si e kupton veten dhe si dëshiron të dialogojë me botën përmes artit bashkëkohor dhe mendimit kritik.
Duke iu referuar veprës së Genti Korinit, ministri nënvizoi se “A Place in the Sun” sfidon kufijtë e komunikimit dhe perceptimit, duke e kthyer pavijonin në një hapësirë ku gjuha, historia dhe imagjinata bashkëjetojnë në mënyrë eksperimentale dhe reflektuese.
Artisti Genti Korini u shpreh se projekti i tij synon të hapë një hapësirë ku identiteti nuk paraqitet si një formë e mbyllur, por si një proces në vazhdim. Ai shpjegoi se përdorimi i gjuhës eksperimentale Zaum dhe strukturës së një “teatri fiktiv” e zhvendos shikuesin në një territor ku kuptimi krijohet vazhdimisht përmes përplasjes së imazheve, tingujve dhe narrativave të fragmentuara.
Sipas tij, Shqipëria në këtë vepër nuk shfaqet si një imazh i fiksuar, por si një hapësirë e hapur interpretimi, e ndërtuar mbi projeksione historike dhe bashkëkohore.
Një pjesë e rëndësishme e fjalës së Blendi Gonxhjas iu kushtua rolit të artit si forcë transformuese në shoqëri. Ai deklaroi se Shqipëria po ndërton një model të ri të ndërveprimit kulturor, ku arti nuk shihet si dekor, por si mjet i fuqishëm për zhvillim, reflektim dhe dialog ndërkombëtar.
Ministri theksoi gjithashtu rihapjen e shumëpritur të Galerisë Kombëtare të Arteve, duke e cilësuar atë si një moment kyç institucional.