Sipas statistikave të vitit 2023, Shqipëria renditet e para në Europë për peshën që zë sektori i bareve, restoranteve dhe shërbimeve ushqimore në ekonominë e vendit. Ky model biznesi është kthyer në një nga aktivitetet më të përhapura, duke përbërë më shumë se një në çdo tetë ndërmarrje të regjistruara në totalin prej 125,737 biznesesh të monitoruara.
Nëse në përllogaritje përfshihen edhe 2,517 ndërmarrjet e akomodimit, numri total i bizneseve në këtë sektor shkon në 17,962, ose 14.3% e sipërmarrjeve në nivel kombëtar. Pas Shqipërisë, vendet e tjera me përqindje të lartë të këtyre shërbimeve janë Greqia me 11.6%, Serbia me 9.2% dhe Portugalia me 8.9%.
Në të kundërt, vendet e Europës Veriore dhe ato me ekonomi të orientuar drejt industrisë dhe teknologjisë kanë përqindjet më të ulëta në këtë sektor:
• Lituani: 1.19%
• Estoni dhe Letoni: 1.97%
• Poloni: 2.11%
• Norvegji: 2.26%
Analiza e këtyre shifrave konfirmon përqendrimin e lartë të strukturës private në sektorin e shërbimeve, duke u dalluar ndjeshëm nga mesataret e vendeve të tjera anëtare të Bashkimit Europian apo ato të rajonit të Ballkanit.