Kombëtarja shqiptare e vajzave do të mësojë kundërshtaret për edicionin e vitit 2027 të Ligës së Kombeve në shortin që do të hidhet të martën, më 3 nëntor, në orën 13:00, në UEFA. Shorti do të përcaktojë grupet për secilën nga tri ligat e kompeticionit.
Shqipëria është pjesë e Ligës B, ku garojnë 16 skuadra të ndara në katër vazo. Kombëtarja shqiptare ndodhet në vazon e tretë, së bashku me Irlandën e Veriut, Hungarinë dhe Greqinë.
Në vazon e parë të Ligës B janë Sllovenia, Polonia, Serbia dhe Ukraina. Vazoja e dytë përfshin Finlandën, Belgjikën, Turqinë dhe Çekinë, ndërsa në vazon e katërt janë Rumania, Bjellorusia, Kosova dhe Lituania.
Sipas formatit të përcaktuar nga UEFA, 54 kombëtaret pjesëmarrëse janë ndarë në tri liga, bazuar në renditjen përfundimtare të kualifikueseve të Kampionatit Europian 2026 për vajza. Ligat A dhe B kanë nga katër grupe me nga katër skuadra. Liga C përbëhet nga gjashtë grupe: katër me nga katër skuadra dhe dy me nga tri skuadra.
Shorti do të nisë me Ligën C, do të vijojë me Ligën B dhe do të përfundojë me Ligën A. Për Shqipërinë, shorti do të përcaktojë kundërshtaret dhe rrugëtimin në edicionin e ri të UEFA Women’s Nations League 2027.