Sipas raportit të Fondacionit Europian të Trajnimit (ETF), të publikuar më 10-11 shkurt 2026, Shqipëria vazhdon të ketë performancë nën mesataren rajonale dhe ndërkombëtare në arsimin profesional dhe kompetencat digjitale.
Raporti evidenton rezultate të dobëta në shkrim-lexim, matematikë dhe shkenca te të rinjtë, të shoqëruara me kapacitete të kufizuara të mësimdhënies, materiale të vjetruara dhe mungesë të infrastrukturës digjitale. Këto faktorë dëmtojnë përgatitjen e brezit të ri për tregun e punës. Shqipëria renditet poshtë mesatares së Evropës Juglindore dhe më poshtë se standardet ndërkombëtare për aftësitë themelore.
Aftësitë sipas gjinisë te të rinjtë
Djemtë përballen me nivele shumë të ulëta të shkrim-leximit dhe aftësive bazë, me mbi 80% të tyre që performojnë në ose nën nivelin minimal të testimeve ndërkombëtare. Kjo reflekton dobësi strukturore në arsimin profesional fillestar.
Vajzat shfaqin aftësi më të mira organizative dhe komunikuese, por mbeten të kufizuara nga zgjedhjet profesionale sipas gjinisë, çka pengon zhvillimin e kompetencave teknike dhe digjitale.
Situata te të rriturit
Dobësitë janë më të theksuara te të rriturit. Pavarësisht niveleve të larta formale të shkrim-leximit, pjesëmarrja në arsimin gjatë gjithë jetës mbetet nën 1%. Aftësitë digjitale të avancuara janë ndër më të ulëtat në Evropë, ndërsa vetëm një pakicë e vogël zotëron njohuri bazë të teknologjisë së informacionit. Kjo kufizon produktivitetin dhe riorientimin profesional.
Pabarazitë dhe të dhënat SPI
Pabarazitë gjinore dhe territoriale janë shqetësuese. Gratë dhe zonat rurale përballen me akses më të kufizuar në aftësi digjitale dhe numerike, duke thelluar hendekun mes kërkesave të ekonomisë moderne dhe kapaciteteve të fuqisë punëtore.
Të dhënat e Treguesit të Panoramës së Aftësive (SPI) tregojnë se vetëm 10.1% e grave dhe 8.7% e burrave mund të përdorin formula bazë në fletë-llogaritëse.