Komuniteti i Energjisë hapi konsultimin publik për listën e ardhshme të Projekteve me Interes të Komunitetit të Energjisë (PECI) për vitin 2026. Kjo listë përfshin tetë projekte kyçe të infrastrukturës elektrike, që synojnë të adresojnë pengesat ndërkufitare dhe të përgatisin rrjetet për rritjen e energjisë së rinovueshme në rajon. Shqipëria rezulton në të paktën tre prej tyre me ndikim direkt, që synojnë financim nga Bashkimi Evropian.
Zgjerimi i hidrocentralit në Moglicë
Projekti më i madh është zgjerimi i hidrocentralit me pompim në Moglicë, pjesë e projektit të Devollit të kompanisë Statkraft. Ai parashikon një kapacitet të instaluar deri në 1620 MW dhe një kapacitet ruajtjeje prej rreth 30 GWh. Centrali do të funksionojë si një bateri gjigante, duke ruajtur energjinë gjatë periudhave me tepricë dhe duke e rikthyer në rrjet kur kërkesa është e lartë. Ky investim do të krijojë një nga asetet më të mëdha të fleksibilitetit energjetik në Ballkanin Perëndimor.
Interkoneksioni me Kosovën
Një projekt tjetër strategjik është rikonfigurimi i rrjetit 400 kV dhe ndërtimi i një interkoneksioni të ri me Kosovën. Ai përfshin zgjerimin e nënstacioneve dhe ndërtimin e një linje të re mes Fierzës dhe zonës së Prizrenit, duke lehtësuar mbingarkesën në rrjetin ekzistues 220 kV. Projekti është thelbësor për integrimin e mbi 1 GW kapacitetesh të planifikuara të energjisë së erës në verilindje të Shqipërisë, si dhe për rritjen e shkëmbimeve tregtare të energjisë në rajon.
Rehabilitimi i linjës 220 kV
Projekti i tretë është rehabilitimi i linjës ekzistuese 220 kV që lidh Trebinjën, Peruçicën, Podgoricën dhe Vaun e Dejës. Përmes zëvendësimit të pajisjeve të amortizuara dhe rritjes së kapacitetit transmetues, ai synon të reduktojë humbjet, të zbusë ngarkesat në rrjet dhe të përmirësojë sigurinë e furnizimit. Kjo do të ndihmojë integrimin e energjisë së rinovueshme në trekëndëshin Bosnjë-Mali i Zi-Shqipëri.